“Vetëcensura; Realitete të gazetarisë shqiptare” paraqet në mënyrë të detajuar atmosferën brenda redaksive të informacionit në median shqiptare. Botuar nga PAPIRUS në vitin 2016, libri zbardh në mënyrë të detajuar mekanizmin që detyron gazetarët të vetëcensurohen përballë presioneve të brendshme dhe të jashtme.
Libri vjen si reflektim i një punë kërkimore mëse pesë vjeçare, brenda së cilit, përveç qasjes teorike të fenomenit në fjalë, analizohen një sërë faktesh të mbledhura brenda redaksive të informacionit. Libri nuk është një analizë përshkruese që vlerëson redaksinë e informacionit duke e parë nga jashtë. Ai sjell matjen e atmosferës që ekziston brenda një redaksie informacioni në rutinën e përditshme të saj. Përmes dëshmive të shumta të mbledhura nga gazetarë, redaktorë e kryeredaktorë, apo edhe diskutimeve që janë zhvilluar mes tyre rreth publikimit ose jo të temave delikate për ta, libri kthehet në një burim të rëndësishëm për çdo studiues të fushës, student gazetarie dhe komunikimi, apo pse jo edhe për politikanë, përfaqësues të biznesit e më gjerë. Ky botim përmbledh një sërë dëshmish të thëna dhe të pranuara publikisht për herë të parë nga gazetarë, redaktorë, kryeredaktorë, pronarë të mediave, politikanë të niveleve të ndryshme, biznesmenë etj.. Ai është një burim shumë i mirë që mund të ndihmojë në edukimin mediatik edhe qyetarët të thjeshtë për të kuptuar më mirë mesazhin e medias, përballë të cilit ekspozohen vazhdimisht.