Doc.Dr.Ramadan Çipuri përfundoi studimet universitare për gazetari, Fakulteti i Komunikimit, Universiteti i Stambollit, Turqi. Në vitin 2008 u diplomua në programin “Master i Arteve në Sociologji-Filozofi, Fakulteti i Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës”. Gjatë viteve 2009-2010, pranë Universitetit Epoka, ndoqi kurse të posaçme rreth studimeve evropiane. Në qershor të vitit 2015 mori titullin “Docent” nga Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Në po të njëjtin vit, fitoi gradën “Doktor i shkencave” në Gazetari dhe Komunikim, Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit, Universiteti i Tiranës. Tema e studimeve doktorale titullohej “Vetëcensura e gazetarëve shqiptarë brenda redaksive”.
Doc.Dr.Çipuri është i angazhuar në jetën universitare që në vitin 2008, fillimisht në Universitetin Epoka, Tiranë, Shqipëri, dhe më pas, nga shtatori i vitit akademik 2011-2012 e në vijim ka qenë pjesë e stafit akademik dhe drejtues i Departamentit të Shkencave të Komunikimit, në Kolegjin Universitar Bedër.
Në karierën e tij profesionale, gjatë viteve 2004-2009, Dr.Çipuri ka punuar si gazetar për disa media të huaja, ndërkohë që më pas, në sezone të ndryshme ka qenë i aktivizuar edhe në dy kanale televizive me dy programe me karakter social-kulturor.
Përkrah angazhimit në mësimdhënie në disa universitete si Kolegji Universitar Bedër, Universiteti Epoka dhe Universiteti Aleksandër Moisiu në Durrës, Dr.Çipuri ka patur gjithashtu një angazhim të gjerë edhe në kërkimin shkencor, duke marrë pjesë në rreth 25 konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare të organizuara në institucione të ndryshme në Shqipëri, Itali, Spanjë, Austri, Turqi, Kroaci dhe Kosovë. Gjithashtu, ai ka qenë pjesëmarrës aktiv, si edhe ka drejtuar projekte kërkimore të mbështetura nga universitete dhe institucione publike dhe private.
Përveç punimeve shkencore të paraqitura në konferenca dhe revista të ndryshme, në vitin 2016 botoi librin “Vetëcensura; realitete të gazetarisë shqiptare”, i cili zbardh mekanizmin që nxit fenomenin e vetëcensurës te gazetarët shqiptarë. Libri u publikua nga Shtëpia Botuese PAPIRUS.
Një tjetër botim i rëndësishëm është edhe Kodi Etik për raportimet gjatë fushatave elektorale, i titulluar “Udhëzues praktik, Deontologjia dhe etika e raportimit gjatë fushatës zgjedhore”. Ky kod u publikua në vitin 2012, në bashkëautorësi me Prof.Dr.Briseida Mema.
Dr. Çipuri është njohës i gjuhës angleze dhe asaj turke.