Organizohet takimi i parë në kuadër të projektit “Pushtetari përballë qytetarit”. Projekti i zhvilluar nga Infinit +, në bashkëpunim me Qendrën Shqiptare për Komunikim Publik, me pjesëmarrjen e gjashtë njësive administrative të qytetit të Tiranës, financohet nga Lëviz Albania.
Projekti ka për qëllim të përballë konkretisht qytetarët dhe përfaqësuesit vendorë për problemet që ata kanë në forume të përbashkëta ku marin pjesë vetë banorët me përfaqësi, si dhe përfaqësuesit e Njësive Administrative / Bashkisë së Tiranës. Pra direkt personat përgjegjës për të zgjidhur problematikat konkrete të ngritura nga banorët.
Takimi i parë u zhvillua me qytetarë të njësisë administrative Kashar, pyetjeve dhe problemeve të të cilëve iu përgjigj Administratori i kësaj njësie, z.Erin Catri.
Fillimisht ishte z.Çatri i cili bëri një përshkrim të punës së derimëtanishme të bërë në njësinë që ai drejton, duke theksuar vëmendjen e kushtuar nga Bashkia e Tiranës për hapësirat larg qendrës së qytetit. Sipas tij, ka patur një sërë investimesh në infrastrukturë, transport publik, çështjet që kanë të bëjnë me pronat, infrastrukturën arsimore ku theksoi planifikimin e ndërtimit të dy shkollave të reja brenda kësaj njësie, etj..
Më tej, forumi vijoi me pyetjet dhe shqetësimet e banorëve të zonës. Një nga problemet më të rëndësishme të ngritura prej tyre ishte ajo e mungesës së kopshteve dhe çerdheve publike, me kushte të përshtatshme për t’u kujdesur për fëmijët deri në orët e pasdites kur prindërit kthehen nga puna. Për z.Çatri, ky ka qenë dhe është një premtim i Bashkisë së Tiranës, për të cilin po punohet intensivisht, në mënyrë që fëmijët e këtyre zonave të kenë kushte sa më të mira edukimi.
Një tjetër shqetësim i qytetarëve kishte të bënte me zgjatjen e procedurave për zgjidhjen e problemeve. Sipas tyre, një procedurë administrative që më parë zgjidhej në një kohë të shkurtër, tani përcillet drejt bashkisë së Tiranës, gjë kjo që e zgjat dhe e vështirëson gjithnjë e më shumë këtë proces. Për z.Çatri, kjo mënyrë korespondence është në përputhje të plotë më reformën e re, gjë e cila nëse do të përballet me vullnetin e mirë të të gjitha hallkave administrative të bashkive, nuk do të përbënte problem.
Shqetësim i ngritur nga qytetarët ishte edhe çështja e transportit publik, sipas të cilëve autobusat që lëvizin brenda hapësirës territoriale të kësaj njësie janë të vjetër dhe vihen në dispozicion në distanca të gjata kohore. Sipas z.Çatri, Bashkia e Tiranës ka investuar shumë në këtë drejtim dhe po nxjek nga afër mënyrat e shtimit të alternativave për këtë lloj transporti për banorët e këtyre zonave.